Faktori Kitsch: Ndërmjet Autenticitetit dhe Komoditetit në Ballkan

Nga: Ajhan Bajmaku

Faktori Kitsch: Ndërmjet Autenticitetit dhe Komoditetit në Ballkan

Ajhan Bajmaku

Hyrje

Kjo përmbledhje e artikullit mbi Kitsch-in i kushtohet ligjëratës sime të mbajtur në javën e dizajnit në Tiranë. Ligjërata u zhvillua në mënyrë deduktive, duke prezantuar shtrirjen e kësaj dukurie në shoqërinë tonë përmes disa imazheve që e ilustrojnë këtë fiksion edhe në kontekstin ballkanik.

Para se t’i qasemi analizës së imazheve të mia, dëshiroj të përmbledh në vija të trasha termin Kitsch. Kitsch quajmë vlerësimin e ulët të shijes! Bazuar në konvencione të caktuara, termi veçanërisht përdoret për t`i afirmuar produktet që janë prodhuar pa shije, që kanë një identitet fallco dhe varfëri estetike (referuar zhvlerësimit estetik në art, muzikë, letërsi, e më tej në grafikë, dizajn industrial dhe arkitekturë). (Samier,A.E,(2008), On the Kitschificitation of Educational Administration:Am Aesthetical Critique of Theory and Practice in the Field).

Procesi morfologjik

Kitsch-i buron nga shpartallimi i një kulture monarkiste dhe fillimi i kapitalizmit industrial. Në periudhën kalimtare prej feudalizmit në një shoqëri të industrializuar, shija e cila gjer më tani diktohej nga shtresat aristokratike, tashmë ishte në duart e njerëzve të cilët, për shkak të qasjes në mjete të prodhimit, mund të vendosnin për vehte se çka të cilësonin si “e bukur” dhe “artistike”. Pra, në një mënyrë ndoshta ironike për shkak të emrit të shëmtuar që mbart, kitsch-i është produkt i një shoqërie ku shtresat e gjera të popullsisë vendosin për vlerat estetike. Megjithatë, është edhe simbol i demokracisë, përveç vlerave që mund të definohen si fallco.

Sipas Greenberg-ut Kitsch, është një shije e sëmurë, që ka shpërthyer gjatë tranzicionit me dyndjen e popullsisë nga viset rurale nëpër zonat urbane. Këto ritme dyndjesh në rritje krijuan diferenca të theksuara socio-kulturore në qytete, andaj, për t`i përmbushur nevojat e këtij tregu të ri u dizajnuan edhe produkte të reja: artificiale, jo të kushtueshme, imitime të drejtpërdrejta; një Kitsch-kulturë joreale, neglizhente, e pandjeshme ndaj cilësive të holla kulturore. (Clement Greenberg ,Art and Culture-“Avangard and Kitsch”-Critical essays (Boston:Beacon Press,1961) f.4-21). Me një fjalë, fokusi i tij është që të krijojë ndjenjën e joshjes dhe të epshit për të përfituar pëlqimin e konsumuesit duke i përmbushur kërkesat e atyre që kishin uri për kulturë.

Shembujt e parë të Kitsch-it derivuan nga revolucioni i romantizmit dhe industrializmit. Shtresa e mesme, e prekur më së shumti nga kultura popullore e kohës, dhe e ndikuar më së shumti nga konsumi industrial, u bë nikoqire e saj. Për ngjashmëritë e romantizmit dhe Kitsch-it Hermann Broch shprehet: “Megjithëse romantizmi nuk është Kitsch, është si nëna e tij. Dhe ka momente të tilla që, djali i ngjan aq shumë nënës, sa njeriu e ka të pamundur ta kuptojë dallimin ndërmjet tyre”. (HermannBroch, “Notes on the Problem of Kitsch” – Kitsch, the World of Bad Taste, bot. GilloDorfles, NewYork, Universe Books, 1969,f.62)

Gjatë shekujve 19 dhe 20, kur prodhimi serik dhe shpërndarja kolosale e tij u bë i mundur, Kitsch-i u zgjerua edhe më tej. Derisa në modernizëm prodhimet Kitsch nënçmoheshin, në postmodernizëm (fillet e viteve 1950) u jetësua një concept i ri “çdo gjë shkon” (anything goes), duke i sulmuar në këtë mënyrë të gjitha vlerat e modernizmit. Për pasojë, ky shpërthim i vrullshëm i konceptit kulturor të kapitalizmit (post-modernizëm), përmbysi mënyrën se si zhvilloheshin marrëdhëniet sociale më parë duke i hapur rrugë Kitsch-it në të gjitha fushat e jetës sonë. Në ditët e sotme jemi të rrethuar gjithandej nga të gjitha prodhimet industriale që janë në përputhje me definimet e lartpërmendura, e që në fakt nuk dihet se për çfarë shërbejnë!

– Nga këndvështrimi estetik Kitsch-i nga masa perceptohet si shprehje karizmatike. Arsyeja është se produktet Kitsch kanë dendësi emicionale, janë shumë lehtë të kuptueshme dhe ndërtohen nga indikator që masa tashmë i njeh. Kitsch-i krijon stereotipe! Faktikisht, cilësitë të cilat përdoren në prodhimin e Kitsch-it janë “e bukur, e ëmbël, i,e dashur, dhe emocional”. Për këtë arsye, në pikturat Kitsch, ka ngjashmëri ndërmjet emrit të pikturës dhe identitetit të saj (shembull, Piktura e djalit duke qarë – “The Crying Boy”. Individi përballë pikturës ndjehet komod, sepse vepra si e tillë potencon dendësi të njohur emocionale, sentimentalizëm, ndoshta edhe rrjedhjen e ndonjë loti, por, vetëm kaq. Në vend se të na “ngacmojë/frymëzojë” ta analizojmë shkakun e kontekstit emocional, na inkurajon ta pranojmë përmbajtjen si të mirëqenë, duke na privuar të kemi këndvështrime të ndryshme për botën ku diversiteti dhe diferencat janë inkurajuese. E kundërta e kitschit – arti autentik ta quajmë – për dallim, mund të jetë edhe i shëmtuar. Mirëpo, ai të ngacmon, të shqetëson dhe nuk të le rehat. Kitsch-i mund të bëjë të lumtur për disa çaste, ndërsa arti mund të shkaktojë dhimbje.

 

Piktura e djalit duke qarë – “The Crying Boy”

– Nga këndvështrimi shoqëror Kitsch është hapësira më e gjerë kulturore që ka faktorin e të qenit real. Meqë shoqëria në masë është prodhimi i kapitalizmit, njëherazi është arsyeja që të shembet diversiteti ndërmjet individëve, të ndodhë kufizimi i lirisë individuale, të krijohen polarizime ndërmjet individëve, dhe të kenë shumë ngjashmëri individët njëri me tjetrin, Theodore Adorno (Theodor W. Adorno, Aesthetic Theory (Minneapolis : University of Minnesota Press,1999) fq.239) , në librin e tij mbi kulturën e prodhimeve industriale, flet për teknikat e prodhimit të veprave të artit duke e përdorur artin për qëllime profitabile. Adorno është kundër konstatimeve të koncepteve të postmodernizmit, të cilat Kitsch-in e cilësojnë si demokratik dhe të padëmshëm. Apo siç konstaton edhe Baudrillard-i “ Secili është brenda një moçali që quhet Kitch” (Jean Baudrillard (2010) Tüketim Toplumu Istanbul :Ayrinti Yayinlari,( dordüncübaski)). Në botën e sotme të globalizuar dhe të ndërlidhur me anë të mediave masive dhe Internetit, ky fenomen nuk është më i lokalizuar tek një kulturë e veçantë.

Kitsch-i dhe Kosova

Nëse i referohemi tendencave që i nevojiten një shoqërie për tu zhvilluar në aspektin sociologjik, shohim se në Kosovë janë prezentë të gjitha rrethanat “optimale” për “mikpritjen” e dukurisë së Kitsch-it. Mungesa e edukimit ndër breza dhe periudha e bashkëveprimit spontan të tranzicionit, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e Kitsch-it në Kosovë. Duke vazhduar më tej me faktorin “shoqëri e mbërthyer” në mes të disa kulturave dhe ideologjive, pasigurisë ekonomike, parregullsisë ligjore, nevojën e shpërnguljes “për një jetë më të mirë”, nga vendet rurale në ato urbane, apo shpërnguljet në diasporë etj. e kuptojmë këtë dukuri si produkt të natyrshëm të kësaj skene sociale.

Për ta kuptuar këtë sfond sociologjik, vëmë re se si Baudrillard ka krijuar një diagram itineraresh ndërmjet Kitsch-it dhe shoqërisë konsumuese. Në këtë kontekst, shumica e shoqërisë Kosovare përqafoi një vetëdijesim jo të shëndoshë estetik duke u ballafaquar me konceptet e kulturës së ulët dhe kulturës së lartë. Përvetësimi i Kitsch-it në Kosovë ka filluar nga shpërthimi financiar që ndodhi menjëherë pas luftës, nga investimet e huaja dhe nga pasurimi i shtresës së ulët me ritmet e saj intensive. Nga ky këndvështrim, shoqëria Kosovare si synim i bëri produktet Kitsch treg të begatshëm konsumimi, cilësitë e të cilave e reflektojnë më së miri këtë dukuri të mentalitetit.

Horrorchitecture // Lipjan,Kosovë (foto A. Bajmaku 2013)

Kur e lexojmë këtë imazh me kujdes, (që besoj se na merr më tepër kohë se leximi i ndonjë pikture të Picassos apo të VanGogut, e të ngacmon më tepër se Kulla e Eifellit), ju mund të shihni një ndërlidhshmëri të mendësisë, me bazë vlerësim i ultë i shijes, dhe reflektimit të një mendësie në forma konkrete. Pra, ju mund të shihni se arkitektura është vetëm një reflektim i sjelljeve të shumta njerëzore, dhe këto sjellje shprehen në forma të ndryshme, të cilat do t`i lexoni në imazhet më poshtë.

Shembuj të hedonizmit postmodern të klasës së mesme

Rreziqet që përmban konsumi i tepruar, që në zhargonin e përditshëm nënkupton “harxhoj pa mend”, “shpërdorim”, dhe që është natyrisht e shoqëruar nga nocionet e “luksit”, begatisë, dhe madje të “dekadencës” (Matei Calinescu, Pesë Fytyrat e Modernitetit –, Tek kapitulli: Kitsch-I (Shija e keqe, ideologjia dhe hedonizmi), Copyright për botimin shqip, Dituria 2012, fq 260). Tipari themelor i hedonizmit postmodern të klasës së mesme është mbase të nxit dëshirën për të konsumuar, deri aty sa konsumi të shndërrohet në një lloj ideali shoqëror rregullues…

..Dhunë ndaj arkitekturës!

Analizat e kontekstit specifik janë shumë të rëndësishme për të shfaqur informacion me veprimet arkitektonike që do të udhëheqin transformimin e tij fizik. Ka paqartësi të shumta lidhur me rrymat që e influencojnë atë: postmodernizmi, tradicionalizmi, modernizmi i vonë, apo i hershëm që trashëgon gjurmë të fuqishme të periudhës së modernizmit dhe mbart dimensione të reja të kompleksitetit dhe diversitetit të jetës. Kitsch-i skenën e qytetit e preokupon në mënyrë të Pseudo superegos! (shembuj të objekteve shoqërore në Prishtinë).

Instituti I Historisë së Kosovës, Prishtinë

-Imazhet e mëposhtme përshkruajnë se si funksionet janë thuajse të pavarura nga forma e tij dhe se funksioni i adaptohet formës për aq kohë sa forma është e qëndrueshme (shembull: Hoteli Swiss Diamond, Pristinë), duke implikuar në pornografizim të objektit, ku gjurmët e së kaluarës shkatërrohen duke u krijuar një e “kaluar e re” –

Prishtina During the 80-s
Now... back to...

Kitchi tek ne aplikohet me shije kontradiktore vetëmohuese, që do të thotë se, përdoren elemente që krijojnë, në shumicën e konstatimeve, konflikt të brendshëm statik për syrin e njeriut. Konflikt i brendshëm statik është moment kur tashmë je i sulmuar nga elemente në kundërshtim me kiminë e një shoqërie të caktuar. 

Konflikt statik, sepse, nuk mund të marrësh masa konkrete për të ndryshuar këtë gjë në një kohë të shpejtë. Sepse, edhe po e ktheve kokën në anën tjetër, pra edhe po e drejtove syrin në një drejtim tjetër, do ta gjesh një shembull tjetër të “Kitchit. Këtë konstatim po e ilustrojmë me imazhet në vazhdim, i cili na vërteton se reagimi ynë nuk mund ta anashkalojë këtë sfond statik.

Pra, kësaj, ske se ç`ti bësh pos ta fusësh faktorin kohë në mes. Të pyesim, sa kohë mund të zgjatë i gjithë ky dinamizëm i pakontrolluar, për të kaluar nga shija e keqe në shijen e mirë të përgjithshme? Por në kundërshtim me këtë armë estetike, në industrinë e nocionit të “blerësit”, nocioni i idesë së arritjes së kamjes, vërejmë një ikje të pavetëdijshme nga Kitchi. Nocioni “Shitësi” kërkon një produkt i cili është unik, i shtyrë nga motive për të fuqizuar nocionin e fuqisë kapitale.

Kitchturizmi, është një tentativë për ta sjellë një qytet të një shteti të caktuar, në një hapësirë pushimoreje në një bregdet. Referuar kontekstit ballkanik, ky është një tjetër shembull i kapitalizmit dhe hapësirave të saj që janë krijuar pikërisht për t`i joshur njerëzit me imitime madhështore siç është imazhi në vazhdim “pushimi” i paketuar me të gjitha aktivitet si argëtim, edukim, shoping, sport, lifestyle…

Orange County De Luxe Hotel, Turqi / si kopje e qytetit të Amsterdamit

Post Kitsch

– Duke ecur përgjatë lumit drejt zemrës së Shkupit, ju do të përballeni me një mori ndërtimesh që shkëlqejnë, ndërtime neo-klasike, të zbukuruara me kolona dhe tavane me nimfa. Këto ndërtime nuk ishin prezentë pesë vjet më parë. “Është shumë kitsch, por po sjellë vizitorë”, thotë Oliver Stefanovski, menaxher në Unity Hostel, në një artikull mbi këtë temë në “The Guardian”. Vizitorët e huaj më parë vinin në Shkup kryesisht për të bredhur në qarkun e bukur të Pazarit të Vjetër, në rrugicat e saj, xhamitë dhe kalanë e vjetër në majë të kodrës. Por tani mund të qëndrojnë më pak se pesë minuta sa për të pirë një kafe turke në mesin e njerëzve dhe arkitekturës tradicionale të Lindjes së Mesme, për t’iu kthyer më pas hapësirave të rrethuara nga arkitektura faux-klasike evropiane.

Qendra e Shkupit

Ky nivel i njëjtë i kaosit ka shtypur zhvillimin e arkitekturës dhe urbanizmit edhe në Beograd. – Çdo gjë është e lejuar, nga tregtia e paligjshme e deri te ndërtimet pa leje. – thotë Gordana Vucic-Sheppard në “Kultura kundër kiçit: beteja për rrugët e Beogradit” (Culture Versus Kitch: The Battle for Belgrade’s Streets). Ndikimi më i madh i Kitsch-it, sipas saj, ishte ushtruar tek pushtimi dhe privatizimi i hapësirës publike – marrja e tokës, zgjerimet lart, poshtë, dhe anash.

Në të gjithë procesin e rishpërndarjes së tokës dhe okupimit, vazhdon Srdjan Jovanovic Weiss në librin “Gati Arkitekturë” (Almost Architecture). Në vitet 90, Beogradi u vërshua nga Turbo Arkitektura, pasi diktatura e Milosheviçit nuk ishte diktaturë në sensin klasik. Përmëtepër, fuqia shtypëse e rezhimit të tij, qëndronte mu në krijimin e kaosit, ku çdo gjë që nuk e cenon pushtetin, është e lejuar. Duke përfshirë, në radhë të parë, hapësirat urbane. Këtë dukuri autori e quan “Turbo arkitekturë” në bazë të fenomenit “Turbo-folk” në muzikë, të cilin e definon si `përplasje imense, pa të drejtat e autorit (copyright) e formave tradicionale dhe moderne.

“Në muzikë,” vazhdon Jovanović-Weiss “kjo shprehet me muzikë tradicionale të sipërimponuar mbi ritme shumë të zëshme, të forta dhe të shpejta moderne “perëndimore.” Në modë kjo shprehej në gjinjtë e silikonit dhe buzët e gufuara në tesha kryesisht ngjyrë rozë te femrat, ndërsa te meshkujt muskujt e silikonit dhe zinxhirët e arit.” Në arkitekturë kemi shembuj frapant të kiçit si përzierja e tepruar, sipërimponim postmodern, ku gjen ndikime Romaneske, klasike, si dhe kulme tradicionale me qeramidhe në të njëjtin vend.

Duke iu referuar asaj si një mjet në arsenalin opresiv të Miloseviçit, Jovanović-Weiss e quan turbo arkitekturën si një qershi të rreme në krye të tortës. “

Qendra e Beogradit
Higjiena nostalgjike (foto A. Bajmaku)

Ky është një interpretim i kontekstit që zbulon aspekte kontradiktore të strukturës, është një gjenerator i Kitsch-it copy-paste i cili, me anë të veprimeve të “higjienës nostalgjike”, pra: mveshjes, shtresëzimit, mbivendosjes, palosjes etj. nuk bën gjë tjetër veq se ”çmontimin e kontekstit” dhe rezultatet janë një strukturë kritike formale, as homogjene dhe as e fragmentuar.
Turbofolk-kultura si një nga ato që përmban më së shumti në brendinë e saj Kitsch-in, ka ndërtuar një rrjet të fortë me ato elemente Kitsch, që ja sigurojnë ekzistencën e saj. Kitsch-i sikurse edhe “turbofolk-kultura” nuk kërkon të dhëna, identitet, histori dhe personalitet. Për këtë arsye këto dy dukuri janë të gërshetuara njëra me tjetrën duke “bashkëjetuar” brenda post-modernizmit, siç argumenton Özer, se “Kitsch dhe kultura turbofolk, janë dy gjëra që edhe po deshi post-modernizmi, nuk mund t’i shpëtojë dhe nuk mund t`i largohet”.

Bienalja e Stambollit, 2013 (foto A. Bajmaku)
Shembujt të traditës mbi teknologji

Në imazhet e sipërme, mund të vërejmë qartazi se ka një mosshkëputje në mes estetikës tradicionale dhe asaj bashkëkohore. Meqë, tentenet, në kohët e hershme janë përdorur gjerësisht si një simbol estetik, dhe zakonisht kjo formë e gjerë aplikimi ka qenë komodina dhe tryeza e ushqimit. Mirëpo, tentenja shërben në radhë të parë si mbulesë dhe kjo është një nga dallimet kyçe të vlerave artistike dhe kiçit. 

Arti i vërtetë zbulon e të ngacmon, kiçi mbulon kompleksitetin e përvojës njerëzore, ai të rehaton. 

Në një mënyrë, për ta parafrazuar Karl Marksin “Kitsch-i është opiumi i popullit.” Me anë të kiçit, si denominues më i ulët i përbashkët, tentohet që të imponohet një realitet i ri. Ky është aspekti i dhunës së kiçit – në këtë rast dhunës ndaj qytetit, të cilin elita e re e shohin si një bastion i atyre që vazhdimisht përbuzin ata që janë nga rrethina apo fshati. Të kuptohemi – këtu bëhet fjalë kryesisht për një mentalitet që është prezent tek shqiptarët dhe ballkanasit, pavarësisht se a gjinden në fshat, qytet apo në ndonjë qendër në diasporë. Mirëpo, brengos fakti që urbicidi, një lloj hakmarrjeje ndaj konceptit të qytetit si polis – një shoqëri e koordinuar që punon për të mirën e përgjithshme – ka tendencë ta ngrehë të gjithë shoqërinë poshtë kolektivisht.

Kështu qysh nga rënia e Perandorisë osmane, shkatërrimi i së vjetrës nuk pasoi me një ndërrim të planifikuar mirë. Qëllimi ishte të zhdukej çdo gjurmë e mundshme e pushtetit të mëparshëm dhe të fillohej nga zeroja. E vërejmë këtë me ndërtimet soc-realiste në Prishtinë për t`i zëvendësuar ndërtesat otomane me ato moderne, mirëpo modernja ishte trajtuar nga sytë e dikujt që ende nuk e kishte kuptuar apo mishëruar atë. Njëri ndër rastet më drastike është qyteti i Selanikut, i cili me ikjen e osmanëve, u rrafshua dhe u zëvendësua me kopje të arkitekturës françeze (Nëse i sheh fotografitë e vjetra të Selanikut, ta përkujtojnë Prizrenin apo Sarajevën – pra një qytet tipik osman).

Në aspektin kosovar, periudha e soc-realizmit jugosllav u pasua nga sundimi i Miloseviçit i cili – si çdo strukturë e dhunshme e pushtetit – gjithashtu e imponoi edhe arkitekturën e tij. Kjo vërehej në mbirjen e busteve të mbretërve mesjetarë serbë dhe çdo version e metastazë e kiçit religjioz. Si shembull më i shëmtuar i kësaj dukurie është Kisha Ortodokse Serbe në oborrin e Bibliotekës Kombëtare. Debati ende vazhdon se çka duhet të bëhet me të.
Ajo nuk mund të jetë kishë dhe kurrë nuk ishte e menduar si kishë. Ajo është një lloj bunkeri Enverian dhe simbol i dhunës. Debati për këtë objekt ende vazhdon. Propozimi i Hajrullah Çekut për ta shndërruar atë në një muze të diktaturës është ndër të paktit që tentojnë ta integrojnë një aspekt të pakëndshëm të së kaluarës dhe të i japin një kuptim të ri.

Pra, zbrazëtira vazhdon të mbushet me objekte që u shkojnë më së miri për shtati farkëtareve të identiteteve të reja. E këta nuk janë medoemos njerëz që kur janë në Londër destinacionin e parë e kanë Galerinë “Tate” apo sallën e leximit të “British Library” – aq e famshme sa Mario Vargas Llosa ia pat kushtuar një ese të tërë – apo në Nju Jork, nuk do të vizitojnë “Central Parkun”, nuk do të shkojnë në opera në “Met”, e as në ndonjë nga galeritë e shumta të qytetit. Më parë do t’i gjesh në ndonjë kafene shqiptare duke bërë zefk me muzikë tallava dhe duke bërë selfie për Facebook, posaçërisht nëse e kanë ndonjë njeri me titull apo famë në tavolinë (të mirë apo të keq, s’ka dert). Ose mund t’i gjesh në njërin prej shumë dyqaneve të teshave e parfumeve. Pra e kanë një nevojë gati ritualiste që të duken sa më shumë si ata që e përfaqësojnë paradigmën e re sunduese – në këtë rast Amerikanët dhe Europianët. Por ç ‘është më e rëndësishmja, ata kanë të holla. Dhe ato të holla i shpenzojnë si dojnë vet. Për fat të keq kjo shpesh nuk është ide fort e mirë. Kështu shohim kryesisht simbole agresive të statusit, të cilat i karakterizon në një masë Kitsch-i. Si në rastin e “Shtëpisë Versace”. Kjo e ka një mesazh shumë të thjeshtë – kam kulm mbi kokë dhe tesha e parfum të shtrenjtë. Kam edhe televizion e internet, por gjithashtu kam jetuar jashtë. Aq! Nuk ka ndonjë për mesazh më të thellë, as edhe tentim për ta reflektuar pronarin apo patronin e veprës – qoftë ai publik apo privat. Përkundrazi, tenton të mbulojë.

Pra sikur ndërtimet që mundohen ta maskojnë realitetin me simbole të vrazhda të statusit – si p.sh. shtëpia e ngjyrosur me logon e Adidasit, apo ajo e stolisur si një llahtari që Gianni Versace mund ta ketë parë një natë para vdekjes, e kanë për qëllim të maskojnë kompleksin e të ardhurit nga një status më i ulët shoqëror. Sepse, këto shtëpi nuk e kanë për qëllim ta shprehin karakterin e pronarit. Porosinë e kanë njëdimensionale dhe të qartë: kam kulm mbi kokë por edhe mjaft pasuri sa të jem pronar i teshave dhe parfumeve të shtrenjtë. Poashtu, kam jetuar jashtë vendit.

Tentenet janë më interesante, sepse e përfaqësojnë një simbol statusi kitsch në zhdukje e sipër. Sepse, tentenet janë ndoshta njëri nga reliktet e pakta të konsumerizimit nga periudha e vonshme e Perandorisë Osmane. Sot, ajo asociohet me aspektin oriental të kulturës sonë – shtëpitë tradicionale, minderët, takijat e hoxhallarëve, etj. Mirëpo, qyteti i njohur në botë për tentene ishte dhe është Venediku. Pra, tentenet në te vërtetë, duket të kenë qenë simbole statusi që reprezentonin Perëndimin nga sytë osmane. Ato çmoheshin nga shtresat e pasura, e shtresat e varfra e donin së paku një shenjë të të qenit në një nivel me shtresën e hollë elitare. Kështu, kur u bë e mundshme që këto tentene të prodhoheshin masovikisht ato e vërshuan tregun. Nga ky aspekt, tentenet janë si një përkujtim se çka mund të ndodh me statuset kitsch të simbolit në ditët e sotme” …
Pra, këto mikro shpërthime të Kitsch-it në shoqërinë tonë, paraqesin vetëm njërën anë të ”virusit Kombëtar”

Turbofolkultura dhe gjuha e saj, me anarki përceptuale, skizofreni, dëshirë e papërmbajtur dhe me pastrehshmëri, duke e shtyrë individin në lëvizje… kjo ngjashmëri dhe barazim me Kitsch-in, na del të mos jetë një rastësi. Duke e formësuar peizazhin e imponimeve ideologjike, zhdukjen e të mbeturave pozitive të traditës dhe shuarjen e hapësirës kritike të modernizmit, Kitsch-i në Kosovë, ka mbetur një pikë e pandryshueshme e përbashkët shoqërore. 

Nga këto shembuj mund të kuptojmë shumë qartë rritjen e pashmangshme të turbofolk kulturës, e që ndërlidhet me tranzicionin që jetoi Kosova pas luftës.
-Në ditët e sotme, politikanët dhe faktorët tregtarë, në vend se të lartësojnë nivelin e edukimit të shtresave të ulëta t`i përshtasin në kohën moderne, ata i pranojnë në nivelin turbofolk dhe janë duke i përmbushur kërkesat e tyre në përputhje me këtë nivel. Sepse numri i këtij niveli është i madh, dhe duke i përmbushur kërkesat e këtij niveli turbofolk, politikanët mund të sigurojnë vota dhe hapin rrugë për sipërmarrës që të prodhojnë produkte më tepër për shoqëri konsumuese. Kërkesa për këtë të fundit mund të ketë frymëzim për arsye të ndryshme si: politike, ekonomike etj. duke e shndërruar Kitsch-in në një produkt të domosdoshëm në zhvillimin e marrëdhënieve shoqërore.

Calinescu në kontributin e tij teorik “Pesë Fytyrat e Modernitetit” parashtron mjaft pyetje për identitetin e Kitch-it në kontekstin etimologjik, artistik dhe sociologjik. “Pra, po qe se Kitchi është shije e keqe, atëherë çfarë është një shije e keqe”, pyet ai. Nuk është dhe aq e thjeshtë ta definosh. Andaj, këtu edhe fillon zgjerimi i kuptimit të tij në dispilina të ndryshme dhe shumëllojshmëria e dimensionit të identitetit të tij.

Në këtë artikull synuam ti parafrazojmë disa nga ndikimet e Kitchit në kontekstin fizik ku kondensohen domethëniet e vendit që proklamojnë ndërlidhshmëri ndërmjet arkitekturës dhe forcave të ushtruara nga njerëzit dhe disiplinave të tjera që kontribuuan në këtë proces. Kjo që po quhet tashmë në shkencë “Interdiciplinary”, ka filluar gjithnjë e më shumë të konsiderohet si udhë drejt një kuptimi. Prandaj, pa bërë kombinime të disiplinave, nuk mund ta kullosh gjykimin mbi Kitchin. Për shembull në konteksin psikologjik, thuhet se, Kitch-i ka fuqi joshëse ndoshta sepse njeriu dëshiron të ikë nga realiteti i padurueshëm. 

Në kontekstin sociologjik dhe letrar, Calinescu është i mendimit se nga mungesa e faktorit “kohë” njerëzit përzgjedhin të lexojnë libra “të lehtë”-. Më tej, kur i hedhim sytë te shkolla e Frankfurtit , të ndikuar nga kjo shkollë Adorno dhe Maks Horkhajmer, shohim një term “ industria e kulturës” apo e quajtur ndryshe edhe industria e dëfrimit. Ky term, ka të bëjë me atë se çfarëdoqoftë Kitchi, mund të jetë joshës kur e ka efektin e çlodhjes. Pra, Kitchi mund të jetë një gënjeshtër estetike, por derisa ka një efekt çlodhës apo një “sharm” relativisht të shkurtër, ajo mund të pranohet nga masa.
Megjithatë, Kitch-i nuk duhet të merret si kërcënim serioz siç thotë Abraham Moles “ Mënyra më e thjeshtë dhe më e natyrshme drejt shijes së mirë kalon përmes shijes së keqe.”

Për autorin

Ajhan Bajmaku ka doktoruar në departamentin e Enterierit në Universitetin Mimar Sinan në Stamboll. Ai është ligjërues në Fakultetin e Arkitekturës në UBT në lëndët e Kreativitetit, Enterierit dhe Estetikës së Hapësirës. 

Poashtu, Ajhani vepron në studio të dizajnit të quajtur “Die Form” kryesisht me projekte të enterierit të realizuara në Kosovë dhe Evropë.
Karrierën e tij e vazhdon edhe në botën e artit kontemporan si asistent kuratorial, moderator dhe organizator i ekspozitave ndërkombëtare.

KOMENTO
Albanian