"You know me so well"

Milot Gusia

Vështrim rreth ekspozitës "You know me so well"

nga: Milot Gusia 

Martina Menegon (e lindur më 1988) është një artiste digjitale, e cila krijon asamblazhe intime nga gërshetimi i elementeve fizike dhe virtuale. Këto asamblazhe eksplorojnë unin bashkëkohorë dhe truporen hibride. Duke eksperimentuar me format e reja të artit performues, Menegon krijon autoportrete hibride përmes artit të realitetit interaktiv dhe realitetit të zgjeruar (apo Extended Reality). Këto autoportrete janë të realizuara në formë të Glitcheve, apo gabimeve të qëllimshme analoge dhe digjitale, të cilat i krijon duke korruptuar informatat apo duke manipuluar fizikisht pajisjet elektronike.

Menegon përdor këto forma të reja të shprehjes për të eksploruar identitete të reja fluide të simuluara dhe për të krijuar përvoja çorientuese të cilat përkundër natyrës së tyre virtuale bëhen të dukshme fizikisht apo materializohen (Menegon, 2024).

Në ekspozitën me titull “you know me so well”, artistja vazhdon të eksplorojë marrëdhënien e ndërlikuar në mes trupave të prekshëm dhe atyre digjital përmes një varg ekranesh të përhapur përgjatë hapësirës së galerisë 17.

Në qendër të galerisë, veçohet vepra “I’m sorry I made you feel that way”. Ky autoportret interaktiv dhe performues eksploron mundësi të reja për empati dhe sjellë në pah kujdesin për qenien tonë hibride duke na ofruar një përvojë vërtetë unike.

Martina Menegon. "You know me so well" - Foto: Majlinda Hoxha

Në këtë vepër komplekse, të dhënat biometrike të artistes, të mbledhura në baza ditore përmes një unaze smart të bartur nga artistja lidhen me një avatar artificial të gjeneruar përmes teknologjisë së Inteligjencës Artificiale të zhvilluar me Mashinë Lerning (apo Machine Learning AI).

Krejt kjo teknologji komplekse i mundëson artistes të shpreh gjendjen fizike të trupit të saj – sidomos stresin dhe lodhjen – në imazhin e saj virtual. Kur nevojat e trupit fizik janë neglizhuar dhe lodhja e stresi theksohen, AI trupi përkeqësohet vizualisht, duke shprehur sjellje të fragmentuara dhe abstrakte që e bëjnë ndërveprimin me te gjithnjë më të vështirë dhe sfidues.

Megjithëse, vepra thekson kujdesin ndaj qenies tonë hibride, ajo më shumë sjellë në pah rëndësinë e kujdesit ndaj qenies tonë fizike.

Përmes ndërthurjes së informatave shumë intime dhe personale biometrike me një avatar të gjeneruar përmes inteligjencës artificiale, vepra “I’m sorry I made you feel that way” na mundëson të vizualizojmë në rrjet gjendjen fizike të artistes, njëkohësisht duke na tërhequr vëmendjen ndaj unit tonë dhe trupores hibride.

Kjo lidhje intime the delikate krijon një sens të ri të përgjegjësisë për zgjatjet tona virtuale por edhe thekson rëndësinë e vetëkujdesit tonë.

Ky Avatar Artifical i gjeneruar përmes teknologjisë Mashinë Lerning krijon një realitet të ri të ekzistencës digjitale, ku vijat në mes të së vërtetës dhe imagjinatës zhduken. Kjo qenie virtuale, e lindur nga bashkimi i Mashinë Lerning dhe krijimit artistik, ridefinon si ne ndërveprojmë, shprehim dhe madje perceptojmë veten tonë.

Martina Menegon. “I'm sorry I made you feel that way” - Imazh virtual i gjeneruar me Augmented Reality

Çfarë është një Avatar Digjital? Një avatar artificial është një prezantim digjital i përdoruesit në një mjedis virtual. Përkundër avatarëve tradicional, të cilët mbështeteshin në rregullimin manual, avatari i udhëhequr nga AI evoluon në formë autonome. Ai mëson nga të dhënat, i adoptohet konteksteve të ndryshme duke shprehur kompleksitetin e plotë njerëzorë.

Kjo krijesë posedon personalitet, mund të bisedojë, shpreh emocione dhe madje të mësojë nga ndërveprimi me të tjerët.

A do të jenë këto krijesa në të ardhmen një pasqyrim virtual i qenies tonë, por të pavarur, për të t`u bërë miqtë tanë të pasqyruar virtual?

E gjithë magjia e këtyre modeleve gjenerative është e bazuar në sistemin GAN, apo Generative Adversarial Networks që sjellin tek lindja e këtyre avatarëve. Ato përbëhen nga gjeneratori dhe diskriminatori, të ndërlidhur në një duel kreativ. Gjeneratori krijon avatarë, derisa diskriminatori kritikon autenticitetin e tyre.

StyleGAN është një variant i GAN-it që skalitë fytyra hiperrealiste. Ai mëson nga databazat, duke kapluar nuanca fiziologjike si rrudhat, detajet dhe buzëqeshjet, duke sintetizuar kështu figura komplekse virtuale.

Vepra në fjalë, më shumë se të na ofrojë një zgjidhje kreative, ngreh pyetje dhe dilema të shumta rreth të ardhmes së teknologjisë.

Ku do të jenë implikimet e kësaj teknologjie? Sot, gjithnjë e më shumë kemi influencues virtual, apo AI avatarë të cilët po infiltrojnë mediat sociale si modele në Instagram me miliarda ndjekës (si rasti i Lil Miquela-s). Aktualisht, kompanitë e mëdha rregullisht bashkëpunojnë me këto modele virtuale për kampanja të ndryshme marketingu.

Vepra mes tjerash ngre pyetje se kush do të jetë pronar i këtyre avatarëve? Ne apo krijuesit e tyre? Derisa avatarët do të fitojnë gjithnjë e më shumë autonomi, pyetje të shumta etike dhe legale do të ngritën në të ardhmen virtuale të internetit.

A mund AI avatari jonë të trashëgojë të mirat tona digjitale? Këta avatarë nuk do të mbeten të kufizuar vetëm në ekrane. Me evoluimin e teknologjisë, ata do të shpërndahen nëpër syze AR, hologramë, dhe botën virtuale.

A do të sjell kjo pavdekësinë e njeriut në formë digjitale? Një prezencë e pavdekshme digjitale, apo një AI eho e prezencës tonë fizike.
Derisa ne po skulpturojmë AI avatarët tanë, ne po formësojmë një trashëgimi digjitale.

A do të jenë këto krijesa virtuale, të lindura nga kodi dhe imagjinata, trashëgimtarët tanë të cilët do të bartin esencën tonë në abisin e kozmosit virtual?
Vepra poashtu prek tematikën e të ardhmes së të dhënave biometrike.

Çfarë janë të dhënat biometrike në rend të parë dhe përse janë aq të rëndësishme?

Të dhënat biometrike janë ato që kaplojnë esencën tonë individuale, apo materialin biologjik që na bën unik. Shenjat e gishtërinjve tanë; ADN-ja jonë apo kodi gjenetik që na veçon; paternat retinale, apo shtigjet unike të enëve të gjakut në sytë tanë; paternat e Irisit, apo unazat unike të ngjyrave në bebëzat e syrit tanë; pamja jonë; zëri ynë unik dhe trajtat tona fizike. Të dhënat biometrike përfshijnë madje edhe mënyrën e ecjes tonë, apo mënyrën si nënshkruhemi. Të gjitha këto paterna janë unike për çdo individ në botë.

Kush është pronar i të dhënave biometrike? Individi apo mbledhësi? Si do të ndikojnë të dhënat tona biometrike në trashëgimtarët tanë digjital?
Vepra poashtu ngre pyetje rreth trupores hibride, dhe shumëfishësisë së vdekjes njerëzore. Çfarë do të ndodhë kur këto forma hibride takojnë mortalitetin? A do të tejkalojmë qasjen Karteziane përmes teknologjisë?

Dekarti me filozofinë e tij ndau mendjen nga trupi – qenien e vetë menduar nga ena fizike që e mban. Por të arriturat e hovshme në neuroshkencën kognitive sfidojnë këtë qëndrim. Trupat tanë nuk janë më entitete të izoluara, por ato tani banojnë si në botën e prekshme ashtu dhe në botën gjithnjë e më të zgjeruar virtuale.

Martina Menegon. “I'm sorry I made you feel that way” - Imazh virtual i gjeneruar me Augmented Reality

A po kthehet njeriu në një asamblazh kiboorganik? Ne nuk jemi më vetëm mish dhe gjak, ne po bëhemi hibride kiboorganike. Mendjet tona po zgjerohen në pajisje të jashtme, telefon të mençur, pajisje të bartshme dhe sisteme AI. Ne gjithnjë e më shumë po interpretojmë botën përmes këtyre zgjatjeve protetike.

Të imagjinojmë AI avatarët që do të trashëgojnë njeriun fizik. Si do të mbahen në mend, dhe çfarë tregimesh do të thurin në të ardhmen? Truporja jonë hibride do të tejkalojë kufizimet e hapësirës dhe kohës. Ne po bëhemi më shumë se qenie biologjike, ne po kthehemi në narracione kiboorganike.

Jetët tona nuk po janë më të kufizuara në botën fizike. Ne po banojmë gjithnjë e më shumë hapësirat virtuale, të lidhur përmes ekraneve, duke lënë gjurmë digjitale të ekzistencës tonë në pikselë. Prandaj, qenia jonë digjitale – profili në rrjetet sociale, avatarët, ndërveprimet në rrjet – gjithnjë e më shumë po kanë rëndësi.

Jetët tona digjitale po ndikojnë emocionet tona. Rrjetet sociale po ngjallin kënaqësi, lakmi dhe frikë. Ndërveprimet virtuale gjithnjë e më shumë po ndikojnë mirëqenien tonë mendore.

A shpreh vepra “I’m sorry I made you feel that way” vizualisht gjendjen reale njerëzore, e cila është gjithnjë e më e shëmtuar dhe groteske? Uni fizik po është i komprometuar nga kujdesi gjithnjë e më i madh ndaj qenies tonë virtuale dhe prezencës sa më të mirë onllajn.

Ky imazh virtual i gjeneruar përmes inteligjencës artificiale nuk i përngjan aspak pamjeve të bukura të portreteve virtuale në rrjetet sociale dhe atyre të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale.

Ky është një imazh që realisht arrin të vizualizojë njeriun e sotëm bashkëkohorë të tejngarkuar nga stresi dhe lodhja psilokogjike të shkaktuar nga ndjekja gjithnjë më e madhe e teknologjisë.

Martina Menegon. “I'm sorry I made you feel that way” - Imazh virtual i gjeneruar me Augmented Reality

Vepra “I’m sorry I made you feel that way” shpalos qenësinë shpirtërore të njeriut të margjinalizuar nga teknologjia, e cila po merr gjithnjë e më shumë pjesë nga jeta fizike e tij.

Në Galerinë 17, artistja Martina Menegon shpalosi krijimtarinë e saj përmes veprave të përzgjedhura në ekspozitën me titull: “you know me so well”. Ky projekt erdhi në jetë përmes bashkëpunimit mes Shtatëmbëdhjetë dhe festivalit Ars Electronica në kuadër të një tematikës Techne.

Vegëza tjera rreth ekspozitës:

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Milot Gusia

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordhire-it Britani e Madhe.

Albanian