Never Say Never

Nga: Milot Gusia

Vështrim rreth veprës "Never Say Never"

Milot Gusia 

Fjalët kanë fuqinë e tyre për të na inspiruar, motivuar, ngushëlluar dhe shëruar. Fjalët janë fluide dhe të gjalla, prandaj na bëjnë të kujtojmë personat më gjatë. Fjalët e urta të zotit Demaçi ishin motivues të mëdhenj për rezistencën e popullatës në kohën e okupimit. Tek e fundit, fjalët dhe mendimet ishin ato që persekutuan këtë njeri.
Vepra “Never Say Never” e artistit Alban Muja, na përkujton një nga thëniet e mirënjohura të veprimtarit të shquar Adem Demaçi. Kjo vepër mund të konsiderohet si një nga anti-monumentet e para me një koncept bashkëkohorë në Kosovën e pasluftës.
Mendimi fleksibil dhe demokratik i Demaçit në kohën e okupimit të Kosovës është përmbledhur mrekullueshëm në idiomën: “Never Say Never” apo “Kurrë mos thuaj Kurrë”, të shprehur në një debat politik televiziv në ballafaqim me politikanin serb Vuk Drashkoviqin në vitin 1998.
Me këtë vepër artisti Muja ngre lart fuqinë e fjalës së lirë dhe vlerën që mendimi i lirë ka për demokracinë.
Artisti Muja duke përdorur fjalët e aktivistit të mirënjohur reagon ndaj rrethanave socio-politike dhe njëkohësisht ofron një moment për të na shtyrë në mendime. Duke lëvizur në mes të lirikës tekstuale dhe politikës, ai na ofron një manifestim të prekshëm të fjalëve.

"Never Say Never" - Foto: Engjell Berisha

Përmes kësaj vepre artisti Muja na kujton veprën “Love” të Artistit Robert Indiana i cili përmblodhi në një fjalë të vetme më të vlefshmen tonë, atë që shpresojmë, çmojmë dhe kujtojmë.

Përdorimi i tekstit në skulpturë për të përcjellë emocion na kujton edhe artistin Robert Montgomery. Përmes një pasioni të thellë për poezinë, Montgomery eksperimentoi gjerësisht me fjalët dhe vizualet, duke analizuar format e ndryshme të asocimit të tyre (MTArt, 2024). Përmes instalacioneve në formë të billbordeve masive tekstuale ai zhvilloi “poema vizuale”. Kështu, Montgomery bëri artin e poezisë të qasshëm për të gjithë, njëkohësisht duke përmbysur simbolet tradicionale të kapitalizmit në hapësirat publike.

Poashtu, artisti Muja përmes “Never say Never” e bën fjalën e urtë të qasshme për të gjithë, duke na shtyrë njëkohësisht të mendojmë për format e ndryshme të asociimit të kësaj fjalie.

Monumentet kanë qenë pjese e rëndësishme e historisë së Kosovës përgjatë viteve, duke shërbyer si simbole të fuqisë, kujtesës, dhe krijimit të identitetit kulturorë në Kosovën e pasluftës. Megjithëse këto struktura masive, u ndërtuan nga materialet e qëndrueshme si bronzi dhe guri për ti mbijetuar kohës, për nga koncepti i tyre artistik treguan të kundërtën. Në këtë shkrim tentoj të ndriçoj si saktësisht monumentet janë përdorë pasluftës në raport me kujtesën dhe interpretimin historik dhe përse ky monument përfundimisht i tejkalon disa dukuri negative.

Duke qenë kritik ndaj trajtimeve didaktike të monumenteve për të favorizuar monumente dhe memorialë më përshkrues që prekin emocionet e shikuesve dhe kërkojnë nga shoqëria jonë, jo vetëm të reflektojnë nga e kaluara, por të reflektojnë edhe ndaj interpretimit të së kaluarës tonë.

Kritika ime ndaj monumenteve të mëparme ishte tek “fuqia” e këtyre monumenteve të ngritura pasluftës, e cila sugjeronte ide komplete, apo të rreme përmes sensit të mbylljes. Ato sugjeronin se ne kemi bërë gjithçka që është kërkuar të bëhet, dhe i kemi zgjidhur problemet dhe tani ato janë pjesë e së kaluarës. Këto shtatore tipike monumentale glorifikonin protagonistët dhe vendimet e tyre politike, duke lënë anash realitetet dhe situatat e papërshtatshme historike.

Anti monumentalizmi apo kontra monumentet janë të kundërta me idenë e monumenteve. Ato refuzojnë nocionin e monumenteve si emblema elitiste të fuqisë (Monuments and anti-monuments, University of York).

Shembuj të mirë inspirimi për memorialet e pasluftës mund ti kishim anti-monumentet e ngritura të hebrenjve pas luftës së dytë botërore. P.sh. memoriali Kundër Racizmit me titull “Gurët” (Stones) i cili në mënyrë eksplicite kundërshtonte shumë norma të themeluara të monumenteve. Gjatë natës, artistët nxorën kalldrëmet nga kështjella Saarbrücken në Saarland, që kishte qenë shtabi kryesorë i Nazistëve, dhe në to gdhendën emrat e varrezave Hebreje në secilin gur dhe i kthyen ato në kështjellë. Pasi që shkrimi në gur ishte kthyer përmbys, dukja e sheshit mbeti e pandryshuar. Më vonë ky anti-monument ishte riemëruar si “Sheshi i Monumentit të Padukshëm”.

Poashtu, si shembull i mirë për artistët në të ardhmen mund ti shërbejë anti-monumenti “Never Say Never” i artistit Muja.

Si është një anti-monument? Anti monumenti nuk prezanton një ideologji politike apo një rrëfim (narracion) të fitores. Nuk ka figura grandioze apo imazhe që simbolizojnë luftën apo viktimat e saj (Monuments and anti-monuments, University of York).

Nëse kujtojmë monumentet klasike të Nazistëve, Komunistëve dhe Nacionalistëve në kohën e Sllobodan Millosheviqit, shohim se ata përdorën monumentet si propagandë dhe mënyrë për të përhapur ideologjitë e tyre. Prandaj, artistët e sotëm duhet të reflektojnë se monumentet e stilit klasik nuk janë aspak të përshtatshëm për demokracinë.

Pikërisht, për këtë arsye duhet të zhvillohen forma të reja dhe ide të reja për të shpërfaqur dhe mbajtur kujtesën e viktimave të gjallë, të tilla që shtyjnë shikuesit të konfrontohen me mizoritë e shkaktuara ndaj tyre.

Kalldrëmet e përmbysura të anti-monumentit të Holokaustit “Gurët” sugjerojnë varrosjen, por ato poashtu krijojnë një ndjenjë zbrazëtie. Ne si shikues e dimë se ekziston një memorial për viktimat aty, por nuk mund ta shohim. Ndjenja e zbrazëtisë lë shikuesin me ndjenjën e parehatshme, por pikërisht këtë reagim artisti kishte për qëllim ta provokonte tek publiku.

Poashtu, vepra e artistit Muja, nuk shpërfaq dhe zmadhon figurën modeste të veprimtarit Demaçi, por thekson veprimtarinë dhe filozofinë e tij të veçantë të rezistencës.

Anti-Monumentet janë forma unike të interpretimit të historisë, ashtu që shtyjnë shikuesin të reflektojë për ekzistencën e tyre. Në vend të krijimit të një narracioni të gatshëm apo rrëfimi për shikuesin, anti-monumentet mundësojnë interpretimet individuale të shikuesve, në formë që mund të ndryshojë si njerëzit shikojnë të kaluarën e vet. Në vend që të krijojnë një ndjenjë false të fitores, ato i tregojnë shikuesit koston dhe çmimin e fitores duke ngjallur kështu një reagim emocional. Sikurse kostoja e fjalës së lirë të zotit Adem Demaçi.

Kontra monumentet sfidojnë mënyrën si monumentet (dhe memorialët) na kujtojnë të kaluarën. Ato nuk janë statike dhe benine. Ato na ftojnë tek mesazhet apo mungesën e tyre, me qëllim të shkaktimit të reflektimit apo interpretimit të kaluarës (Counter Monuments, 2017).

Xhejms Jang thekson se “kontra monumentet janë kundër prirjeve autoritare artistike që reduktojnë shikuesin në një spektatorë pasiv.” (f. 28 Young, The Texture of Memory).

Kontra monumentet na shtyjnë të ballafaqohemi me historinë dhe protagonistët e saj sy më sy. Ato nuk ofrojnë përgjigje (sikurse monumentet e stilit realist).
Nëse i shikojmë monumentet aktuale të pasluftës në Kosovë, këto shtatore i tregojnë shikuesve se betejat kanë qenë fitore të mrekullueshme, në vend që ti inkurajojnë ata të mendojnë në formë kritike rreth tragjedisë që lufta në Kosovë ka sjellë dhe përpjekjeve të popullit kundrejt okupimit.

Kontra-monumentet përshtaten në peizazhin dhe mjedisin e tyre dhe inkurajojnë shikuesit të reflektojnë rreth historisë që ato kujtojnë. Ato përshtaten në mjedisin e tyre dhe shtyjnë shikuesit të ndërveprojnë me to (sikurse gurët e holokaustit që u bënë shtigje për ecje, apo thënia e urtë e zotit Demaçi). Në vend të shtatoreve apo ngrehinave gjigante, gurët u bënë pjesë të jetës dhe mjedisit të përditshëm, ashtu si do të duheshin të ishin dhe kujtimet që memorialët tentojnë të ngjallin.

Referencat:

Counter Monuments, Interpretation, and Interactive Memory, 25 Shtator, 2017. Linku: https://monumentsinhistory.wordpress.com/2017/09/25/counter-monuments-interpretation-and-interactive-memory/.

Monuments and anti-monuments, University of York, 2024, Linku: https://www.futurelearn.com/info/courses/introducing-art-history-discovering-public-sculpture/0/steps/97688

MTArt, Robert Montgomery, 2024 linku: https://mtart.agency/robert-montgomery/

“NEVER SAY NEVER” universalizes Demachi’s statement about freedom and equality, Shaban Maxharraj, Dhjetor 2022, linku: https://www.koha.net/en/culture/355849/never-say-never-universalizes-the-saying-of-demac-for-freedom-and-equality/

Make History, Not Memory, Daniel Abramson, Linku: https://www.harvarddesignmagazine.org/articles/make-history-not-memory/

‘Never Say Never’, fjalia e famshme e Adem Demaçit përjetësohet në vepër arti nga Alban Muja, Isa Vatovci, 2022. Linku: https://kallxo.com/kulture/never-say-never-fjalia-e-famshme-e-adem-demacit-perjetesohet-ne-veper-arti-nga-alban-muja/

 

 

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Albanian