Opinion: Driton Selmani

Nga: Milot Gusia

Vështrime rreth ekspozitës “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”

 Nga Milot Gusia 

Nëntor, 2021

Asgjë nuk provokon ndjeshmërinë artistike më shumë se sa pikëllimi. Tek artistët, ngjarja si ajo e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës sjell tek takimi i emocioneve universale dhe një vullneti individual për të materializuar, ekspozuar, kuptuar dhe pranuar këtë çështje dhe madje nëse është e mundur për të gjetur një formë artistike për të ndihmuar për ta tejkaluar dhembjen e shkaktuar nga ajo.

Brenda pikëllimit të shoqërisë sonë gjenden një varg tmerresh të përjetuara nga familjarët e të zhdukurve, një goditje e thellë shpirtërore që sjellë mllef dhe zemërim, një përshtatje tinëzare me dhembjen dhe mërzinë, një varg valësh koncentrike të ankthit që vazhdojnë me kohën. Të gjitha këto janë evokuar në veprën “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë” përmes fuqisë së imagjinatës artistike të artistit Driton Selmani. Vepra është e përbërë nga një korridor i gjatë e i ngushtë në muret e të cilit janë vendosur emrat, mbiemrat dhe vendi i zhdukjes së mbi 1600 personave. Në 1,622 fleta të bardha, me shkronja të zeza paraqiten të dhënat e të pagjeturve, si: emri, data dhe vendi i lindjes, data dhe vendi i zhdukjes.

Në këto fleta gjenden edhe të dhënat e bashkëshortit të Kumrijes. Kumrije Jahmurataj për herë të fundit e kishte parë bashkëshortin e saj më 1 prill të vitit 1999, në fshatin Lubeniq, komuna e Pejës. Prej asaj dite, ngjarjet jetësore për të dhe dy djemtë e saj, tashmë 29 dhe 32 vjeç nuk kanë pasur kuptim. Pas 22 vjetësh, Kumrija thotë se “më i mirë ish varri sesa mos me ditë”. Sipas Kumrijes “Është më lehtë të ketë një varr, sepse kur ka ndonjë festë, ndonjë mërzi, gëzim, shkon te varri dhe duket se bisedon me të. E di se aty gjenden eshtrat e tij” (Radio Evropa e Lirë).

Kur një shoqëri ballafaqohet me një pjesë të errët të historisë së saj, pikëllimi mund të jetë dërrmues. Çdo person ballafaqohet me pikëllimin kolektiv në formë të veçantë, një mënyrë që ka ndihmuar gjithmonë përgjatë historisë së shoqërisë njerëzore për tu ballafaquar dhe tejkaluar pikëllimin ka qenë arti.

Arti na ndihmon për të kuptuar dhe jetuar me pikëllimin ashtu që ai të mos na dërrmojë. Pasi që pikëllimi shpesh dërrmon dhe na gërryen, dhe disi shoqëria duket se dëshiron që ai të mbyllet dhe të lihet mënjanë. Për ta hapur atë, për të folur rreth tij, për ta ndjerë atë, për ti rezistuar, dhe pranuar morinë e ndjenjave që përbën pjesët e tij, nga zemërimi i errët deri tek dhimbja e thellë, ne duhet ta artikulojmë atë.

Në kuadër të 1,622 fletave të bardha të instalacionit artistik janë poashtu të dhënat për pesë anëtarët e familjes së ngushtë të Bekim Gashit, nga fshati Tërnje, komuna e Suharekës. Nga moria e ndjenjave të dhembjes Bekimi rrëfen për fjalët e fundit të nënës së tij. “Largohu nga shtëpia”, ishin fjalët e fundit të nënës, pasi forcat serbe kishin hyrë në fshatin dhe shtëpinë e tij. …“Çdo moment më kujtohen fjalët e fundit të tyre. Kanë insistuar shumë që unë mos të qëndroj në shtëpi. Mungesa është aq e madhe, aq e pa përshkruar… Derisa t’i gjejmë trupat e tyre, çdo ditë zgjohem me kujtimin e tyre”, thotë ai.

“Unë jetoj me to. Sidomos përvjetorët, festat, datëlindjet e tyre janë më të rënda për ne… Jam rritur me këshillat e nënës dhe motrave të mëdha, pasi babai më ka vdekur kur i kam pasur 13 vjet”, shton Gashi (Radio Evropa e Lirë).

Duke dëgjuar storie të tilla përmes një vepre, arti na ndihmon të hapim pjesët e historisë tonë të errët të cilat tentojmë ti kyçim, apo shtypim si shoqëri. Nganjëherë mund të krijohen ndjenja kolektive të frikës të ndërlidhura me fuqinë dërrmuese të pikëllimit. Arti mund të ndihmojë për ti dhënë kuptim ndjenjave të pjesës së prekur të shoqërisë, por edhe për ti ndihmuar të tjerëve për tu bashkëndjerë më shumë me pjesën e prekur të shoqërisë.

Njëri nga aspektet më prekës të përvojës së shumë familjeve të personave të pagjetur është si nevoja për të gjetur përgjigje kalon nga një gjeneratë tek tjetra. Ajo formëson historinë dhe identitetin e një familje, duke krijuar “një gjeneratë dëshmitare” e cila mbart gjurmët e traumave të prindërve dhe gjyshërve të tyre. Siç kishte thënë një fëmijë i një personi të pagjetur: ”kjo akoma lënë një shenjë të rëndë në gjeneratën e dytë. Ne kemi një kujtesë trupore. Kjo çështje mbetet në gjakun tonë. Ajo është një lidhje e jonë me gjeneratën e kaluar”.

Në fund të tunelit të gjatë të këtij kompozicioni, vizitori gjen një dhomë tjetër të errët, më të madhe, ku po numërohen ditët, orët, e minutat prej ditës kur familjarët po presin për të marrë lajme për të afërmit e tyre të zhdukur.

Meditimi i përjetuar në këtë hapësirë të veprës na mundëson të ndihemi të qetë dhe të lidhur si dhe të gatshëm për të përjetuar një katarzë dhe për të përcjellë energjinë shëruese në shoqëri.

Brenda kësaj hapësire janë edhe disa gurë monolitë të cilët qëndrojnë të shtrirë nëpër hapësirë. Prezenca e gurëve në hapësirën qendrore ndërlidhet edhe me traditën dhe thëniet vendore, si: “guri peshon rëndë në vendin e tij”. Prandaj, pesha e gurit nënkupton peshën e njeriut të kthyer në vendin e tij.

Por, guri ka kuptim akoma më të përveçëm: Ai është i vështirë për t`u thyer, dhe i vështirë për t`u lëvizur. Prandaj, personat e pagjetur bëhen gurët tanë të cilët nuk thyhen dhe mbeten gjithmonë në kujtesën kolektive të kohës. Prandaj, megjithëse të humburit nuk janë fizikisht pranë nesh në shoqëri, artisti Driton Selmani përmes gurit, si një materiali të fortë dhe të pathyeshëm aludon se ne mund të mbështetemi tek e vërteta e cila është e pathyeshme. Ju mund të hidhni gurin, ta godasni atë me çekan, të hidhni ujë mbi te, ta gërvishtni, por ai akoma do të ruaj integritetin e tij ashtu si e vërteta historike. Prandaj, përmes përdorimit të gurit, artisti na thotë se e vërteta është e pathyeshme. Të pagjeturit do të jenë gjithmonë aty për ne dhe “nuk do të thyhen” apo të na braktisin shpirtërisht edhe në kohëra të vështira, sepse ata janë e vërteta e një historie.

Përmes përdorimit të gurit, artisti shpreh edhe problemin politik i cili është kthyer në aspektin metaforik në një gurë, i cili lëvizë me vështirësi ashtu si dhe rasti i personave të pagjetur.

Guri në këtë vepër shprehet poashtu si një themel i ndërtimit të një të ardhme më të mirë për të tjerët. Personat e pagjetur përmes gurit bëhen themel të bartjes së peshës kolektive të shoqërisë. Prandaj, ata mbeten pjesa më e fortë e gjithë gurëve tjerë të shoqërisë.

Përdorimi i gurit nga artisti poashtu e bën veprën të pavdekshme. Kjo vepër e skalitur në gur, sikurse dhe gjithë veprat monumentale (tabletat e skalitura të Biblës), pasi që janë kthyer në gurë, asgjë më nuk mund ti fshijë apo ti mënjanojë. Ato mbesin në përjetësi.

Brenda dhomës së errët gjinden dhe disa orë ku po numërohen ditët, orët, e minutat prej ditës kur familjarët po presin për të marrë lajme për të afërmit e tyre të zhdukur.

Orët prezantojnë imazhin metaforik të kohës e cila gllabëron veten dhe çdo gjë tjetër. Ato simbolizojnë ndjenjën e presionit të kalimit të kohës dhe shërbejnë si kujtesë se koha e mbetur ka një kufi. Orët shënojnë dërrmimin emocional të shkaktuar nga humbja e të afërmve dhe afatin e fundit për të siguruar një përgjigje.

Ato poashtu prezantojnë kalimin e kohës, e cila lëvizë përpara pamëshirshëm, dhe humbja e saj nuk mund të rikuperohet. Çdo minutë është e çmuar, dhe çdo minutë e kaluar është një minutë që do të mund të ishte e jetuar në plotësi nga këta persona. Orët janë shenjë e qartë se asgjë nuk mbetet permanente në jetë dhe se çdogjë ndryshon nga një pikë kohore në tjetrën, ashtu si dhe jetët e familjarëve të mbetur.

Vepra “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë” përmes shprehjes së përkushtimit ndaj një çështje pikëlluese si ajo e personave të pagjetur tenton të arrijë shërimin e dhimbjeve individuale të familjarëve dhe kolektive të shoqërisë.

Vepra e artit në këtë rast ka kapacitetin për të sjellë shërimin nga dhembjet shpirtërore. Arti mund të ndihmojë shoqërinë tonë që përjeton pikëllimin dhe humbjen në shumë mënyra. “Pikëllimi nuk është diçka që mund të harrohet pasi që pikëllimi është një formë e shprehjes së dashurisë, në vend të harresës, pikëllimi ka nevojë për hapësirë, dashuri dhe kujdes. Duke dëgjuar për dhembjet dhe pikëllimin e të tjerëve na bën më të lidhur me veten dhe me dashurinë njerëzore” (Charlotte Kessler).

Kur një shoqëri përjeton pikëllimin nga një ngjarje, individët e saj ndjejnë emocione të ndryshme duke përfshirë zemërimin, trishtimin, dhe frikën, dhe këto emocione mund të jenë dërrmuese për një shoqëri. Mund të jetë e vështirë të kthehen në fjalë përjetimet nëpër të cilat kalon një shoqëri nga një përvojë traumatike siç është lufta dhe humbja e të afërmve, prandaj në këso raste arti është ndihmesa më e mirë. Duke materializuar ndjenjat në formë artistike, arrihet një formë e “përmbledhjes” së emocioneve të shoqërisë. Pjesë të shoqërisë që nuk ishin të gatshme për të folur, apo për tu shprehur kanë mundësi të artikulohen përmes artit. Vepra ndihmon për të tejkaluar dhembjen sepse kur ne e shikojmë pikëllimin tonë tek vepra e artit, ne e kuptojmë atë më mirë.

Vet akti i krijimit të artit ndihmon për të mbushur një hapësirë në kohë ku një shoqëri mund të ndihet e humbur dhe e paaftë për të bërë diçka dhe poashtu vepron si sirtar në të cilin mund ti vendosim me siguri ndjenjat tona dhe të shoqërisë si dhe mendimet e të kaluarës së errët të cilat mund të jenë dërrmuese.

Veprat e artit në këtë rast na ndihmon të ndërlidhemi me urtësinë e thellë trupore. Në rrjedhën e aktit kreativ, mendja është e heshtur, dhe intuita dhe kujtesa do të sillet në sipërfaqe. Shoqëria do të dorëzohet ndaj ndjenjave në vend që të luftojë kundrejt tyre.

Për mijëra vjet, arti është përdorur për të portretizuar emocionet. Artistët më të njohur të botës kanë krijuar kryevepra gjersa kanë shprehur pikëllimin e tyre. Krijimtaria artistike ka ndihmuar njerëzimin për të pranuar dhe për tu ballafaquar me ndjenjat e tyre. Nuk ekziston një mrekulli për tu shëruar nga pikëllimi i përjetuar nga historia jonë e errët, dhe është një rrugëtim i cili është i ndryshëm për çdo person, por arti mund të jetë një mënyrë për ti dhënë kuptim procesit të shërimit shpirtëror.

Nga “Tregimet e Trojës” së Homerit deri tek “Guernika” e Pikasos, nga “Patetika” e Çajkovskit deri tek dramat e përgjakshme të Sofokliut apo Shekspirit, artistët gjithmonë kanë luftuar tragjedinë me anë të artit.

Për shembull, në veprat e Rembrandtit, pikëllimi ishte një religjion. Në një varg autoportretesh që pikturoi në më shumë se gjysmë shekulli, trishtimi zhvillohet si një dhembje e lotëve të frenuar. Për këtë njeri, i cili kishte humbur njerëzit më të dashur, mbajtja zi nuk ishte një ngjarje, ajo ishte një gjendje mendore, gjithmonë prezente, duke lëvizur herë para herë pas, por gjithmonë duke u rritur, sikur dhe hijet që lëvizin përpara me kohë përgjatë fytyrës së vjetërsuar të artistit në autoportretet e tij. Siç kishte ditur ky artist i madh i shekullit të shtatëmbëdhjetë, arti kishte bërë gjithmonë shumë gjëra, por madje edhe në formën e tij më publike, audienca e tij e vërtetë është ajo individuale, dhe funksioni i tij i vërtetë është të inspirojë, absorbojë, dhe reflektojë emocione të thella. Pikëllimi është njëri nga këto emocione, dhe ai ka shtyrë artin pamor që nga arti klasik Grek, me pikturat në vazo të Niobës e cila vajton mbi trupat e fëmijëve të saj, deri tek Krishterimi, i cili tragjedinë e ka në vet thelbin e tij.

Dhembja në shekullin njëzetë fitoi proporcione monumentale në “Guernikën” e Pikasos (1937), një thirrje zemërimi e përmasave kolosale ndaj masakrës së qytetarëve të pafajshëm në luftë (Neil Strauss, The Expression of Grief and the Power of Art).

Mark Shagali (1887-1985) ishte një hebre nga Rusia i cili krijoi art duke shprehur pikëllimin prej humbjes së gruas së tij, Bella. Pikturat e Shagalit reflektojnë dashurinë për Bellan dhe për kulturën e tij hebraike, duke shprehur mallin e tij për shtëpinë e tij në Vitebsk, dhe shpresën me ribashkimin e tij me Bellan në parajsë.

Frida Kahlo (1907-1954) ishte një nacionaliste Meksikane e cila ishte konfrontuar me vdekshmërinë e saj personale dhe me përjetimin e humbjes së nënës, babait, dhe fëmijëve gjatë lindjeve të dështuara. Kahlo kishte përdorur ikonografinë e përgjakshme të kulturës Azteke, personifikimin e vdekjes, dhe ekspresionin plot kolorit të “Ditës së Vdekurve” për të ilustruar dhembjen e saj fizike dhe emocionale.

Artisti Motoi Yamamoto krijoi instalacione të përmasave të mëdha nga kripa në një proces meditativ për të kujtuar motrën e tij të vdekur nga kanceri më 1994 që reflekton kulturën e tij Budiste Japoneze.

Secili artist shprehi pikëllimin në një formë që ishte në përputhje me kuptimin e tij kulturor të vdekjes dhe konventave shoqërore për shprehjen e pikëllimit. Prandaj, arti gjithmonë siguron një manifestim vizual të pikëllimit përbrenda kornizës së tij kulturore (Danica Wixom, Cultural Expressions of Grief Through Art).

Edhe artisti Driton Selmani në veprën “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë” të krijuar në kujtim të 1622 personave të zhdukur me dhunë si pasojë e luftës në Kosovë shprehi pikëllimin e tij përmes përdorimit të gurëve që ndërlidhen me traditën dhe thëniet vendore, si: “guri peshon rëndë në vendin e tij”.

Kjo ekspozitë është organizuar në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare dhe KOSOVO 2.0 dhe e kuruar nga Blerta Hoçia, një artiste e shquar nga Shqipëria e cila jeton dhe vepron në Prishtinë.

Një vështrim rreth ekspozitës në video kanalin MonokroM

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO
Milot Gusia

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordhire-it Britani e Madhe.

Albanian