Pastaj gjeta ca Meteoritë në dhomën time

Nga: Milot Gusia

Mbresa nga Video "Pastaj gjeta ca Meteoritë në dhomën time"

 Milot Gusia 

Në kuadër të ekspozitës me titull: “N ‘përpjekje për me u çue” të mbajtur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, vizitorët patën rastin të përjetojnë projektin multimedial “Pastaj gjeta ca Meteoritë në dhomën time” (Tiranë, Mars 2018), ku artisti Driant Zeneli tenton ti përgjigjet pyetjes së balancimit të realiteti të mundshmes me atë të imagjinares dhe lëvizjen e kufijve të limiteve tona të imagjinatës.

Funksioni i përdorimit të imagjinatës është diçka unike për qeniet njerëzore. Për të arritur një qëllim më të lartë apo për të krijuar diçka unike kërkohet imagjinata njerëzore. Krijimi ndodh dy herë, një herë në mendjen njerëzore duke u shërbyer me imagjinatën dhe së dyti në realitetin fizik duke përdorur materiale konkrete. Artistë të famshëm, përfshirë Vincent Van Gogun, pohuan: “Unë ëndërroj pikturën time dhe pastaj pikturoj ëndrrën time” duke theksuar kështu rëndësinë e imagjinatës në procesin krijues.

Njeriu ka aftësinë për të krijuar gjithçka brenda mendjes së tij, dhe kjo ndodh vetëm duke përdorur imagjinatën. Pasi dëshira dhe besimi janë baza e ekzistencës njerëzore, ato dhe konsiderohen si fillet e realitet fizik. Kjo ndodh sepse idetë, mendimet dhe mundësitë tërhiqen në mendje për ta bërë imagjinatën reale (David Curran “Can Your Imagination Become Real”).

Megjithëse imagjinata ka krijuar gjëra të mrekullueshme, historia na dëshmon se si imagjinata e imponuar në shoqëri mund të ketë efekte plotësisht tjera. Kaluan më shumë se 500 vite nga botimi i veprës Utopia nga Thomas More. Kjo ishte njëra nga veprat më të njohura të literaturës Angleze dhe ishte një hapje drejt një forme plotësisht të re të mendimit. Utopia, ishte poashtu produkt i imagjinatës. Historia ka treguar se diktatorët më të tmerrshëm duke u bazuar në imagjinatën e tyre kanë pasur vizione utopike të parajsës që shoqëria ishte detyruar të besojë. Rajhu i Tretë i Hitlerit ishte një utopi e pastërtisë Ariane, ndërsa Pol Poti ishte i udhëhequr nga utopia agrare kur mbyti miliona njerëz. Diktatorët fatkeqësisht kanë qenë të motivuar nga vizioni i tyre narcistik i shoqërisë të së ardhmes në të cilën çdokush ishte i detyruar të besojë. Së shpejti utopia u bë e asociuar me një formë të inxhinierisë sociale të imponuar nga jashtë ku të gjithë duhej të ishin konform vizionit individual se si bota duhej të dukej (Michael T. Hayes; Matthew Marino). Enver Hoxha ishte një diktatorë i tillë, imagjinata e shtrembëruar e të cilit dërgoi një shoqëri në dështim gjysmë shekullor. Prandaj, termi i krijuar nga More “Utopia” ka kuptimin “Askund” apo “Asgjë”.

Në këtë performancë, si në pjesën më të madhe të veprave të tij, artisti Driant Zeneli na fton në një ballafaqim të mundshmes me imagjinaren në një shtet Utopik. Artisti në performancë inkuadron personazhe, në këtë rast Bujarin dhe Florën, baba dhe vajzë, të dy mbledhës të thëngjillit në një pjesë të ish Metalurgjikut, afër Elbasanit. Përkundër kushteve të tyre të vështira të jetesës, Flora është një DJ për dashuri, derisa Bujari ka kultivuar interesim për gjithësinë dhe zhvillimin e teorisë së tij rreth sistemit solar dhe materies së zezë.

Bujari është i ftuar në performancë të ilustrojë teoritë e tij, derisa Flora, e prezantuar nga mbiemri i saj, si DJ Sulejmani, performon me anë të miksimit të zërave, ndërkohë në prapavijë emetohen imazhe të Gjithësisë nga Qendra Ndërkombëtare Hapësinore. Audienca jo vetëm që merr pjesë por është pjesë aktive e veprës, “ashtu si dhe ne jemi pjesë e sistemit solar” (Zeneli), i cili krijon dimension të fuqishëm fizik dhe mendor.

Sot bëhen 23 vite qëkur Qendra Ndërkombëtare Hapësinore ka nisur orbitimin rreth tokës. Ajo ishte lansuar në vitin 1998 dhe astronautët kanë banuar në te që atëherë. Qendra hapësinore fluturon rreth botës për 90 minuta, duke udhëtuar nga 7 kilometra çdo sekondë. Në një periudhë prej 24 orësh, qendra hapësinore bën rreth 16 orbita rreth tokës, duke udhëtuar përgjatë 16 lindjeve dhe perëndimeve të diellit. Ajo është rreth 108 metra e gjatë, që i bie sa një fushë futbolli. Pas hënës, qendra hapësinore është objekti i dytë më i ndritshëm në qiell dhe nuk nevojitet teleskop për ta parë, ashtu që nëse vështroni nga shtëpia mund ta shihni atë. Në qendrën janë dy banjo. Poashtu është një xhim, gjashtë vende për fjetje dhe dritarja me 360 shkallë. Gjashtë anije kozmike mund të ankorohen në qendër në çdo kohë. Astronautët duhet të ushtrojnë nga dy orë në ditë për ti mbajtur muskujt e tyre në formë në gjithësi. Më shumë se 50 kompjuterë kontrollojnë të gjitha sistemet në Qendër. Sistemi elektrik në ISS është i gjatë 10 kilometra. 230 individë nga 18 shtete kanë vizituar Qendrën Ndërkombëtare Hapësinore. Deri më sot janë bërë 205 ecje në gjithësi nga viti 1998. Qendra hapësinore peshon rreth 420,000 kilogram sa 320 makina. Ajo fluturon përgjatë gjithësisë në distancë prej 402 kilometra nga Toka, dhe një anije mund të arrijë tek ajo për gjashtë orë. Astronauti Peggy Whitson vendosi rekordin e kalimit të kohës më të gjatë në qendrën hapësinore prej 665 ditë.

"Metalurgjiku" - Elbasan

Metalurgjiku, në anën tjetër, i zbrazur nga punëtorët e vet, ekspozon gërmadhat si një dëshmi e dështimit të projektit i cili ishte pjesë e idealeve komuniste të Shqipërisë.

Të tërhequr në mes realitetit dhe të mundshmes, artisti eksploron distancën në mes të banorëve të tokës dhe anijes kozmike si metaforë të tentimit për t’ju shmangur gravitetit. Video merret me temën e rishfaqur të pakufishmes që banon në shpirtin njerëzorë dhe të asaj pjese të botës të mënjanuar dhe shpronësuar por akoma të aftë për të dëshiruar dhe imagjinuar, të cilët janë në rrezik të mbesin në harresë. Performanca gjithmonë është përdorur nga Zeneli si intervenim participimesh, ku artisti aktivizon kuptimin i cili është i ndërtuar nga poshtë-lartë ku vet spektatorët bëhen ndërtues të performancës.

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Albanian