FWD RIKUJTIM
Milot Gusia
Vështrim rreth veprës FWD RIKUJTIM
Porti i Durrësit, pjesë e një sistemi global të qarkullimit të mallrave, kthehet në një kritikë të fortë ndaj një sistemi tjetër paralel – atij që shndërron njerëzit në mallra të fshehura transporti.
Artistja Bora Baboçi, me instalacionin e saj, ironizon kantierin e portit, për të rikujtuar vizitorët për simbolikën e kontejnerit – si objekt për transportimin e mallrave, por njëkohësisht edhe si mjet ikjeje për emigrantët e paligjshëm.
Kështu ajo arrin të theksojë ngarkesën emocionale dhe politike të këtij objekti të përditshëm portual, i cili në shikim të parë derisa ecim përmes portit na duket vizualisht i parëndësishëm.
Depërtimi i kolonave zanore nga brendia e kontejnerit bëhet simbolikë e fuqishme e një burgosjeje të vullnetshme në një hapësirë pa dritë e ajrim, të mbyllur nga jashtë, pa asnjë kontroll për të ngujuarit – një çmim i dhimbshëm për lirinë e premtuar.
Kjo hapësirë e kufizuar bëhet një tranzicion ndërmjet së kaluarës dhe shpresës – e cila shumë lehtë mund të kthehet në vdekje nga asfiksia, ose në zbulimin e një të ardhmeje më të mirë. Kështu, kontejneri kthehet në paradoksin e shpëtimit dhe dënimit të njëkohshëm.
Në një qendër turistike, plot diell dhe hedonizëm, vizitorët ballafaqohen me zhveshjen e dinjitetit njerëzor, dhe shndërrimin e trupave në mall transporti.
Ky kalim i heshtur nëpër kufijtë e botës nënvizon mohimin e ekzistencës së këtyre trupave, të cilët – megjithëse të gjallë – duhet të fshihen, duke u kthyer në metaforë të neglizhencës, heshtjes dhe mohimit të historisë së migrimit të paligjshëm njerëzor.
Ky arkiv i pasur i dhimbjes njerëzore rikujtohet në veprën e Bora Baboçit, duke na sjellë ndër mend edhe dhimbjet, lotët, frikërat dhe shpresat tona të së kaluarës.
Me veprën e saj, Baboçi na rikujton edhe historinë e pasur të veprave të fuqishme konceptuale që kanë trajtuar temën e migrimit.
Duke e kthyer dhimbjen dhe indiferencën në art, Baboçi na kujton Ai Weiwein dhe veprën e tij Safe Passage (2016), ku nga jelekët e shpëtimit të refugjatëve që kishin kaluar detin, të mbledhur në ishullin Lesbos të Greqisë, u krijua një instalacion që zbukuronte ndërtesën Konzerthaus në Berlin.
Me trajtimin e kontejnerit si një burg të politikave të kontrollit të kufijve, Baboçi na rikujton edhe veprën Home (2006) të Shahram Entekhabi-t.
Vepra FWD RIKUJTIM na sjell ndër mend edhe valixhet e hapura të veprës Unpacked të Mohamad Hafezit – një instalacion ku brendia e valixheve u shndërrua në një mini-botë të shtëpive të shkatërruara në Siri dhe vende të tjera që janë burim migrimi, duke rikujtuar shtëpitë e humbura të refugjatëve.
Kur dëgjojmë zërat nga brendia e kontejnerit, na kujtohen veshjet në veprën La Mer Morte (2015) të Kader Attias – të shpërndara nëpër hapësirë si metaforë për trupat e humbur në det gjatë udhëtimeve të rrezikshme, ku veshjet kthehen në objekte të trupave pa emër që lëvizin nëpër kufij.
Sa njerëz çdo ditë humbin shpresat për të kërkuar një jetë më të mirë? Sa njerëz të tjerë do t’i presim me ndryshimet globale që po ndodhin nëpër botë? Ndoshta, veprat e artit më së miri po na rikujtojnë realitetin nëpër të cilin pjesa më e madhe e botës po kalon, për të nenvizuar se edhe rehatia perëndimore mund të jetë shumë e përkohshme.
Zërat: Mihal Kaçi, Alvaro Çenko, Rudian Zia, Rubin Oslo Ceka, Juliano Zholl, Alban Cenko, Kimeld Cenko
Muzika inspiruar nga albumi: The Trilogy of the Desert nga Nacer Khemir
Konsulent i zërit: Edit Pula
Inxhinier i Zërit: Endri Pine

Për autorin
Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.
Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.