Ëndrrat e Hamletit

Milot Gusia

Vështrim rreth shfaqjes teatrale “Ëndrrat e Hamletit”

nga: Milot Gusia 

Në thellësinë e varrit të harruar, ku drita e hënës reflektohet, përpëlitet shpirti i Hamletit të vdekur, zemra e të cilit bart peshën e dashurisë dhe hakmarrjes së pashlyer.

Ndeshja në mes të fizikes dhe emocionales, plagëve të hapura dhe pëshpërimave të shpirtrave të jetës së kaluar ndërthuren me ëndrrat dhe mendimet e Hamletit.

Megjithëse i vdekur, shpirti dhe mendja e tij e plagosur akoma reflekton në dritën e hënës. Dhembja dhe ndjeshmëria e shpirtit të tij është aq e fuqishme saqë tejkalon madje dhe vdekjen.

Errësira brenda shpirtit të trazuar ngritët mbi sipërfaqen e varrit së bashku me mirazhin e trupit të Hamletit. Ai dëshiron t`i shërojë plagët e shpirtit të tij duke reflektuar rreth veprimeve në jetën e kaluar.

Në këtë moment introspektiv, Hamleti reflekton rreth jetës, vdekjes dhe natyrës së ekzistencës së tij.
A duhej ti shkonte rrugës së dashurisë së Ofelias, apo të ndiqte rrugën e hakmarrjes?

Në ciklin e përjetësisë, jeta e tij i shfaqet si ëndërr. Në një cikël të pafundmë, Hamleti dëgjon zërat e personave që kishin rëndësi në jetën e tij. Ai tenton t`i flet, por, ata nuk i përgjigjën. Dhe thënia e mirënjohur “Të rrosh a te mos rrosh” kthehet në kontekstin e jetës dhe vdekjes.

“Ëndrrat e Hamletit” - Foto: Monokrom

Kështu, shfaqja arrin të na bëj të reflektojmë. Hamleti krahason vdekjen me ëndrrën. Çfarë është vdekja dhe si Hamleti e përjeton atë?

Filozofi i lashtë kinez Zhuangzi theksonte vdekjen si një ritual apo një rrugëtim në një fazë tjetër të ekzistencës.
Sokrati besonte se vdekja sillte tek një gjumë pa ëndrra (një mur i pastër) apo hapte një pasazh në një jetë tjetër. Frika, sipas tij, ishte e pakuptimtë pavarësisht nga dera që hapte vdekja.

Platoni, nxënësi i Sokratit, krahasonte vdekjen me një portë tek një jetë ideale. Ai theksonte se praktika e filozofisë përgatiste njeriun për vdekjen.

Ndërsa, Epikurus argumentonte se frika nga vdekja na largon nga mundësia e shfrytëzimit të plotë të jetës dhe plotësimit tonë në të tashmen.

Pablo Pikaso e konsideronte teatrin si formën më të shkëlqyer të arteve, apo mënyrën më imediate në të cilën qeniet njerëzore shkëmbejnë ndjenjat humane. Dhe pikërisht kjo ishte mënyra si shkëmbeu me ne ndjenjat shfaqja ”Ëndrrat e Hamletit” me regji të Mentor Zymberajt dhe me tekst të Nina Mazur bazuar në veprën e Shekspirit -“Hamleti – Princi i Danimarkës”.

Ajo veproi shpejtë dhe fuqishëm në ndjenjat tona dhe na bëri që të përjetojmë thellë fabulën e saj.

Fuqia e kësaj shfaqje ishte tek mënjanimi i elementeve të tepërta, për t’u preokupuar me ndjenjat e pastra njerëzore, kështu duke kapërcyer dhe tejkaluar kohën dhe duke prekur aktualitetin tonë.

Autorët në mënyrë të shkëlqyer nxjerrin aspekte të thella filozofike nga kjo shfaqje antologjike. Ata e sjellin Hamletin në aspektin më njerëzorë.

Hamleti ndien veten të ngujuar. Ai thekson konfliktin e tij të brendshëm duke u shprehur i kufizuar brenda kufijve të mendjes së tij (të simbolizuar përmes kornizës së varrit).

Ai do të ishte mbret i hapësirës së pakufizuar (metaforë për potencialin e tij të jashtëzakonshëm) po të mos ishin ëndrrat e tij shqetësuese.

“Ëndrrat e Hamletit” - Foto: Monokrom

Ai tani na paraqitet si një fëmijë i trazuar, i cili kërkon mbështetje emocionale të prindërve të tij. Ai i drejtohet nënës duke kërkuar kujdes dhe mbështetje.

Në anën tjetër, i drejtohet edhe babait për udhërrëfim. Hamleti tregon se konflikti prindërorë, është njëra nga tragjeditë më të mëdha në jetën njerëzore. Ai lëngon për ndërveprime pozitive me prindërit e tij.

Konflikti i lojalitetit tek Hamleti shfaqet kur ai vret mendjen se po të anonte nga babai mund ta shqetësonte nënën e tij. Ndenja e izolimit dhe pakënaqësisë së Hamletit tani papritmas bëhet e qartë. Konflikti mes prindërve sjell padrejtësisht tek fajësimi i vetes së tij.

Ndërsa, ëndrrat përfaqësojnë trazimin e tij shpirtërorë, nga fantazma e babait, por edhe Ofelias. Ato theksojnë tensionin në mes të ambicies njerëzore dhe luftës së brendshme.

Ai lëngon për lirinë por është i ngarkuar me mendimet e trazuara. Shfaqja prek konfliktin në mes rrethanave të jashtme dhe shqetësimeve të brendshme dhe tregon si kufizimet mendore ndikojnë në përpjekjen për një ekzistencë më të ndritur. Ëndrrat dhe ambiciet e këqija parandalojnë për të përqafuar potencialin e lartë.

Pasi që Hamleti krahason vdekjen me gjumin, ai pohon: “Për të vdekur, për të fjetur… asgjë më shumë”, dhe vazhdon: “Për të fjetur, me gjasë për të ëndërruar.”

Autori duke prekur fenomenin e ëndrrave të Hamletit, prek edhe dilemat filozofike rreth gjenezës së ëndrrave. A është realiteti vetëm një ëndërr? Si mund të jemi të sigurt se nuk jemi gjithnjë duke ëndërruar? Skepticizmi rreth botës së jashtme solli tek fraza e mirënjohur e Rene Dekartit “mendoj, prandaj ekzistoj.”

Dekarti pohonte se përvojat tona të zgjuara mund të jenë iluzione të ngjashme me ëndrrat.

Aristoteli dhe Platoni mendonin se ëndrrat janë një urë në mes realitetit të vetëdijes dhe nënvetëdijes, duke ofruar shkoqitje të së vërtetave të fshehura.

Augustini besonte se veprimet imorale në ëndrra ishin akoma mëkatare, duke konsideruar përgjegjësinë dhe moralitetin e veprimeve në ëndrra.

Filozofët si Daniel Dennett dhe Norman Malcolm kishin debatuar gjatë nëse ëndërrimi është një gjendje e vetëdijshme. Frojdi, Jungu dhe Revonsuo kishin eksploruar funksionin e ëndrrave duke kërkuar qëllimin e tyre.

Por, shoqërimi me ëndrrat tregohet si gjithmonë i paqëndrueshëm. Ato shtrembërojnë realitetin, dhe turbullojnë vijat në mes të vërtetës dhe imagjinatës.

Kështu Hamleti sfidon mendjen e tij të shëndoshë. A ishte ai një princ apo një pion i një loje kozmike?
Monodrama në fjalë është e ndarë në dy pjesë të rrëfimit, në atë “të jesh”, dhe në atë “të mos jesh”.

Hamleti zgjohet dy herë nga varri. Njëherë për të reflektuar rreth hakmarrjes, ndërsa herën e dytë për të reflektuar rreth dashurisë së paplotësuar.

Hamleti vret mendjen nëse kishte bërë veprimet e duhura, apo ndoshta, po të kishte vepruar ndryshe gjërat do të rridhnin ndryshe në jetën e tij. Apo çdogjë do të ishte e njëjtë?

Drama përmes reflektimit arrin të ndeshë madje pikëpamje të ndryshme filozofike, duke ngritur këtë dramë historike në një nivel akoma më të lartë. Ajo arrin të konfrontojë pikëpamjet e filozofisë deterministe me ato kauzaliste dhe probabiliste. 

Çfarë ishte shkaktari i ngjarjeve në jetën e Hamletit? Sa kishte mundësi Hamleti t`i ndikonte ato, apo, ishte i pafuqishëm ndaj tyre?

Duke reflektuar në formë deterministe Hamleti i arsyeton të gjitha ngjarjet në Univers, duke përfshirë vendimet dhe veprimet e tij si të pashmangshme. Me fjalë tjera, kur Hamleti kishte sjellë vendime dhe kishte vepruar, do të kishte qenë e pamundur të kishte zgjedhur ndryshe.

Por, gjatë dilemave të tij ai arrin në formë metaforike të prek edhe filozofinë kauzaliste të Hume-it, Millit dhe Hempel-it duke propozuar rregullsi të jashtëzakonshme. Nëse vrasja e babait i kishte prirë veprimeve të Hamletit, vrasja ishte kauza e ngjarjeve në jetën e tij.

Ndërsa ai poashtu ngre dilema probabilistë, duke i arsyetuar ngjarjet në jetën e tij sipas probabilitetit më shumë se përmes determinizmit.

Raporti ndërmjet mjeteve dhe qëllimeve në filozofi është i ndërlidhur me shkaktarët që sjellin tek efektet specifike, të cilat i shërbejnë qëllimit.

Prandaj, Hamleti ishte vetëm një efekti i shkaktarëve të ndryshëm në jetën e tij dhe se ai i shërbente vetëm një qëllimi të dikujt tjetër. Prandaj, ndoshta ai ishte vërtetë një pion i një loje kozmike?

Dilemat e Hamletit prekin edhe modelitetin kundërfaktual të Lewisit, ku shkaktarët janë ngjarjet pa të cilat efektet e tyre nuk do të ndodhnin. Apo nëse babai i Hamletit nuk do të ishte vrarë çfarë do të ndodhte me jetën e tij? Apo nëse ai do të ndiqte dashurinë e Ofelias, çfarë jete mund të kishte?

Përmes reflektimeve, Hamleti na bëhet shumë më i afërt. Këto pyetje ne i bëjmë vetes tonë në përditshmëri. Çfarë ndikon ngjarjet që ndodhin në jetën tonë?

Ëndrrat e Hamletit ndërlidhen me aspiratat tona njerëzore, dhe dëshirat si dhe shpresat e gjithë neve përgjatë jetës tonë.

Ëndrrat e të gjithëve janë unike, të formësuara nga vlerat, përvojat dhe individualiteti jonë. Qofshin të mëdha apo të vogla, realistike apo aspiruese, ëndrrat e jetës së çdonjërit prej nesh janë thellësisht personale dhe reflektojnë se çfarë ka rëndësi në jetën tonë.

Mentor Zymberaj në dramën e tij madje arrin të prek edhe aspekte metafizike duke vendosur Hamletin në përjetësi. Ai na bën të pyesim se çfarë është përjetësia?

“Ëndrrat e Hamletit” - Foto: Monokrom

Sipas Aristotelit bota duhet të ketë ekzistuar nga përjetësia. Sipas tij gjithçka që vjen në ekzistencë vjen nga substratum. Prandaj, nëse materia bazë e universit do të vinte së ekzistuari, do të vinte nga substratum.

Por natyra e materies është saktësisht të jetë substratum nga i cili gjërat tjera lindin apo formohen. Rrjedhimisht, materia themelore e Universit duhet të kishte ardhur në ekzistencë vetëm nga një materie tjetër ekzistuese ashtu si ajo; për të supozuar se materia themelore e Universit erdhi në ekzistencë do të kërkonte të supozohet se materia bazë për të krijuar atë ka ekzistuar më herët.

Pasi që ky supozim është vet-kontradiktor, Aristoteli argumentoi se materia duhet të jetë e përjetshme, ashtu si dhe tragjedia e Hamletit.

Fuqia e aktorit Zymberaj është e shumëanshme dhe esenciale në krijimin e kësaj shfaqje kapluese. Ai me talentin dhe teknikën e tij të rafinuar si në projektimin zërit, lëvizjeve dhe prezencës në skenë arrin të mishërohet plotësisht në rolin e tij duke evokuar emocione të fuqishme tek audienca.

Duke arritur të krijojë lidhje humane përmes ndërveprimit të posaçëm me audiencën, ai arrin të krijojë një lidhje shumë intime. Ai arrin të na bëjë thellësisht të lidhur me personazhin dhe tregimin e tij duke u transformuar me sukses, për të shkuar përtej ndryshimeve sipërfaqësore kozmetike.

Zymberaj arrin të përqafojë ndjeshmërinë e tij për të qenë kështu plotësisht prezent në skenë, duke ju qasur edhe emocioneve personale dhe jetës së tij të brendshme duke zbuluar kështu humanitetin e tij në skenë.

Zymberaj tanimë është i njohur me monodramën duke e mjeshtëruar lartë këtë zhanër teatror, për të siguruar versalitetin e tij si aktor dhe për të eksploruar emocione, personalitete dhe tregime të ndryshme, duke kapluar audiencën me shkathtësitë e tij transformuese.

Duke pasur kontrollin e plotë në shfaqjet e tij që nga zhvillimi i personazheve e deri tek prezenca në skenë Zymberaj ka lirinë e tij të plotë në zhanrin e monodramës.

Duke mos u mbështetur në aktorët tjerë, ai arrin të eksperimentojë dhe të sjellë vizionin e tij artistik në dritë të plotë dhe në jetë.

Normalisht që sfidat si mbajtja e vëmendjes së audiencës përgjatë gjithë shfaqjes është e madhe në monodramë.

Por, teknikat e larta të modulimit të zërit, dhe dinamikave tjera teatrore të Zymberajt tregojnë se ai mundet të ruaj interesimin e plotë të audiencës së tij.

Mentor Zymberaj shihet se ka studiuar me përpikëri sjelljet njerëzore. Qasja e tij analitike në këtë shfaqje e solli tek krijimi i një eksperimenti unik teatral, duke përdorur skenën si laboratorin e tij për eksplorimin e natyrës së aktrimit.

Ai sikurse Stanislavski krijon personazhe të besueshme duke depërtuar në emocionet dhe përjetimet e vërteta personale.

Koncepti i “kujtesës emocionale” tërheqë nga jeta e tij personale për të evokuar ndjenja autentike në skenë, kështu duke zbuluar autenticitetin e tij ai arrin të krijojë ndërveprime empatike me audiencën.

Mentor Zymberaj zakonisht qëndis shfaqje të veçanta, të cilat i përpunon deri në perfeksion dhe duke i rishfaqur arrin kulminacionin artistik.

Kështu ishte edhe me shfaqjen e tij paraprake “Aktori në kuti” e cila për 15 vite kishte arritur të korrte çmime të shumëfishta nëpër festivale ndërkombëtare, dhe kjo po dëshmohet edhe me shfaqjen e tij të fundit “Ëndrrat e Hamletit”.

Prandaj sukseset e kësaj monodrame nuk janë të rastësishme.

Aleksander Platunov pohonte se kishte zbuluar një teatër të ri – atë të Kosovës. Megjithëse ai e kishte parë këtë shfaqje edhe më parë të vërë në skenë nga regjisori i famshëm lituano-rus Linas Saikauskas, ai preferonte versionin e Zymberajt.

“Do t’ju them menjëherë se shfaqja e Mentor Zymberaj menjëherë te bind. Dhe nga kjo bën që menjëherë, pa një mëdyshje të gjatë, të zhytesh në lëvizjen psikologjike të komplotit.

Kjo është, natyrisht, arti veprues i një kulture të madhe teatrale. Karizmi i aktorit, sharmi i tij në skenë është veçanërisht i dukshëm kur Hamleti është i heshtur, mediton, kujton. Heroi i tij nuk është vetëm një princ – ai është një filozof që reflekton. Në të, ashtu si aktor, ka stil dhe domethënie.”

Youcheslav Tarashenko, kritiku teatror Rus, njëherit regjisor dhe anëtar i jurisë në Festivalin Ndërkombëtar, ka vlerësuar lart paraqitjen e aktorit Mentor Zymberaj, ndërsa i ka bërë një ‘vëzhgim kritik’ lojës së tij dhe shfaqjes “Ëndrra e Hamletit”.

“Kjo lojë ka të bëjë me secilin prej nesh. Shikuesit dëgjuan dhe përjetuan me kënaqësi ‘melodinë e fjalës’, duke përjetuar me lakmi çdo lëvizje skenike të aktorit, si dhe duke e përjetuar si një ngjarje të rrallë të teatrit modern, kur e vëzhgon se si aktori e përjeton historinë”, ka shtuar ai.

Kjo shfaqje është realizuar në formë tejet profesionale dhe me një përkushtim të madh, si nga Mentor Zymberaj si regjisor e aktor i shfaqjes, gjithashtu edhe nga skenografi dhe kostumografi i shkëlqyer Zeni Ballazhi, mjeshtri i ndriçimit skenik Skender Latifi, kompozitori i veçantë Andin Randobrava, dhe ansambli i aktorëve me zërat e prapavijës, si Selman Lokaj, Igballe Qena, Veton Osmani, Dora Xhemajli, Edlir Gashi, Ermal Sadiku, Valmir Krasniqi dhe Mikel Markaj.

Për autorin

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës.

Ai ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire Britani e Madhe.

KOMENTO

Rishtaz

Milot Gusia

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin e Staffordhire-it Britani e Madhe.

Albanian