“Palma e pamundur” Ironia e ndërhyrjes njerëzore

Milot Gusia

Vështrim rreth ekspozitës "Nobody Saw This Comming"

by: Milot Gusia 

Instalacioni “Nobody Saw This Coming” i artistit Driton Selmani, mundësuar nga Instituti për Art Epifani, eksploron marrëdhënien ndërmjet aktit të krijimit artificial njerëzorë dhe natyrës.

Dëshira naive e njeriut urban për “gjallëri vizuale” shpesh krijon peizazhe absurde të cilat reflektohen në mjedisin arkitektonik, por fatkeqësisht edhe në atë artistik.

Me mbjelljen e një palme në një mjedis ku ajo nuk do arrijë të mbijetojë, artisti në një formë aludon në kujdesin e rrejshëm për të pamundurën dhe artificialen në art. 

Në vend që të adoptohet dhe harmonizohet në mjedisin e vet, palma qëndron si një trup i huaj i transplantuar duke treguar ndikimin e artificiales në mjedis. Ky gjest artistik kthehet në një ndërhyrje ironike që ka për qëllim të tronditë mjedisin dhe natyrën. 

Kështu, pema nuk është më një bimë por një simbol i tensionit midis njeriut dhe natyrës.

Si ikonë e parajsës turistike, e konsumuar përmes peizazheve të shumta, ajo gjithashtu sjell ngarkesa të forta semantike: dëshirën naive njerëzore për ekzotiken, pushimin mendor, dhe realitetin e idealizuar.

Por, ky element i vendosur në një mjedis natyral akoma më shumë humbet funksionin e saj origjinal dekorativ dhe kthehet në një ironi të mishëruar në art.

Kjo përplasje midis simbolit tropikal dhe realitetit natyral nxjerr në pah absurditetin e ndërhyrjeve njerëzore në art dhe hapësira publike: përpjekjen për ta kontrolluar, për ta “zbukuruar”, për ta përvetësuar estetikisht mjedisin.

Duke bërë bimësinë objekt të shprehjes artistike, Selmani ndërlidhet me traditën e artit të tokës, duke na kujtuar veprat e Joseph Beuys dhe Agnes Denesit.

Joseph Beuys nisi mbjelljen e 7000 lisave në qytetin Kassel-it si pjesë e Documenta 7, ku çdo pemë u shoqërua me një bllok guri bazalt, për të simbolizuar idenë e shërimit ekologjik dhe social përmes artit. 

Kjo formë konceptuale e artit bashkëkohor u përdor edhe nga artistja e mirënjohur amerikane, Agnes Denes, në veprën e saj “Wheatfield — A Confrontation” (1982), kur ajo mbolli dy akra grurë në Manhatan, pranë Qendrës Botërore Tregtare si një gjest ekologjik dhe politik për të kontrastuar natyrën e ftohtë të kryeqytetit financiar.

Në këtë linjë, Selmani me instalimin “Nobody Saw This Coming” vazhdon këtë traditë të artit tokësorë, duke e kthyer pemën në një agjent të mendimit aktiv.

Palma e vetmuar dhe e brishtë në një tokë të huaj, bëhet metaforë e bukurisë së importuar dhe vendosur jashtë kontekstit. Gjesti performues i mbjelljes si një eksperiment i qëllimshëm i dështimit bëhet një akt i keqpërshtatjes – njeriut që kërkon natyrën dhe të bukurën, por vetëm në formën që mund ta kontrollojë.

On Top residency, si hapësirë galerie pa mure, po krijon një bazament për eksperimentim të artistëve të ndryshëm duke zhvendosur galerinë në një mjedis të hapur dhe jokonvencional për të ofruar format e reja të artit për artdashësit e Kosovës. 

Pas veprës së varrosur me titullin “Bad Ideas” dhe barkodit monumental që paraqet komodifikimin e egër të Prishtinës, vepra e mbivendosur “Nobody Saw This Coming” si një palimpsest po shton një shtresë të re krijuese kësaj galerie në periferi të Prishtinës.

Foto: © Ferdi Limani, Courtesy of the Artist, On Top Residency & Epifani Institute

About the author

Milot Gusia works as a professor and editor, as well as a critic in the local and international art scene. He has worked on a number of programs in the field of art and culture.

He completed his master's studies in Graphic Design at the University of Pristina, as well as his MBA studies at Staffordshire University, Great Britain.

KOMENTO

News

Milot Gusia

Milot Gusia punon si profesor dhe redaktor, si dhe kritik në skenën e artit vendor dhe ndërkombëtar. Ai ka punuar në një numër programesh në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfunduar studimet master për Dizajn Grafik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka përfunduar studimet MBA në Universitetin Staffordshire, Britani e Madhe.